Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Naser Hafizit, i dyshuar për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, mbrojtësi i Hafizit, avokati Shpetim Mehmeti.
Hafizi mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ndërsa, në njoftimin e Gjykatës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, pasi vlerësoi se tani paraburgimi është masë e domosdoshme dhe se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase.
“Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, mund t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën normale të hetimeve, po ashtu lënia në liri e të pandehurit, mund të përdoret si mundësi reale që ai të ndikojnë në dëshmitarët kyç të këtij rasti penal”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se ndaj Hafizit është caktuar masa e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, të cilat janë të natyrës së rëndë dhe se rrezikshmëria shoqërore e tyre është tejet e lartë, sepse janë vepra penale me të cilat atakohet në mënyrë të drejtpërdrejtë buxheti publik, i cili dyshohet se është dëmtuar në masë të madhe.
“Andaj këto rrethana, krijojnë dyshimin se i pandehuri N.H nëse lihet në liri, do të kryej sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda. Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësojë se ne rastin konkret masat tjera alternative për të pandehurin N.H, nuk do të arrinin qëllimin e masave, andaj nga kjo arsye u vendos që të caktohet masa e paraburgimit, si masë e cila tani për tani është e domosdoshme dhe efektive me qëllim të zhvillimit të pa penguar, të kësaj çështjeje penale”, njofton Gjykata.
Hafizi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Shpërlarja e parave” sipas nenit 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pritet të vendoset masa e sigurisë ndaj Naser Hafizit
Prishtinë – Aktualisht është duke u mbajtur një seancë dëgjimore ndaj Naser Hazifit i dyshuar për korrupsion e që ishte arrestuar një ditë më parë nën dyshimin për faljen e borxheve ndaj kompanive të ujit.
Seanca për këtë çështje është në proces, siç konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendosë më pas për masën e sigurisë ndaj Hazifit.
Naser Hafizi nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte arrestuar të enjten pasi dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Hafizi mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore.
Prokuroria Speciale, të martën kishte bërë të ditur se Hafizi nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Kurse, një ditë më parë përmes një komunikate nga PSRK, është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.