Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja po kërkon kompensimin e shujtave ditore nga Komuna e Prishtinës

Prishtinë – Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësja Fatmire Berisha, po kërkon kompensimin e shujtave ditore nga Komuna e Prishtinës përkatësisht nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA).

Fillimisht në seancën e së hënës, përfaqësuesi i paditëses avokati Shpetim Mehmeti, ka bërë precizimin sa i përket lartësisë së kërkesëpadisë duke kërkuar nga gjykata që të obligohet e paditura Komuna e Prishtinës që paditëses Berisha, t’ia bëjë kompensimin e shujtave për ditët e kaluara në punë, dhe atë për 705 ditë pune, në shumën e përgjithshme prej 1,410 euro, me kamatë vonesë prej 8% nga data e parashtrimit të padisë deri në përmbushjen e kërkesës së saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa në fjalën përfundimtare ai tha se mbetët pranë padisë dhe kërkesës së saj të precizuar duke i propozuar gjykatës që të njëjtën ta aprovoj në tërësi si të bazuar.

Po ashtu ai i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës në shumën e përgjithshme prej 404 euro.

E në anën tjetër përfaqësuesja e të paditurës Fitore Byqmeti e ka kundërshtuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses me arsyetimin se një kompensim i tillë nuk është paraparë me Ligjin e Punës duke shtuar se e paditura në skemën e saj buxhetore nuk ka paraparë linjë të posaçme për këtë lloj të kompensimit.

Ndërsa në fjalën e saj përfundimtare ajo tha se mbetët në tërësi pranë përgjigjes në padi duke i propozuar gjykatës që kërkesëpadinë e paditëses ta refuzoj në tërësi si të pabazuar.

Gjykatësja Donikë Dobruna mori aktvendim me të cilin e ka lejuar  ndryshimi i padisë.

Ndërsa pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësja Dobruna, njoftoi që shqyrtimi në këtë çështje juridike ka përfunduar dhe se palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe më 22 tetor 2020, e paditura Komune  Prishtinës kishte dhënë përgjigje në padi në të cilën thuhet se një kompensim i tillë nuk është paraparë as me Ligjin e Punës e as me Ligjin për Shërbyesit Civil të Republikës së Kosovës.

Po ashtu në përgjigje në padi thuhet se e paditura Komuna e Prishtinës gjatë përgatitjes së buxhetit në skemën e saj buxhetore nuk ka paraparë linjë të veçantë buxhetore, për këtë lloj të kompensimit, mbi këtë bazë i ka propozuar gjykatës që pas administrimit të provave ta refuzoj në tërësi si të pa bazuar këkresëpadinë e paditëses.

Sipas padisë së ushtruar më 23 prill 2020, paditësja Fatmire Berisha, është punëtore në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, dhe atë punëtore staf teknik-pastruese, e cila është në marrëdhënie pune që 16 vite.

Në padi thuhet se paditësja Berisha kërkesën e saj e ka mbështetur në Ligjin e Punës konkretisht në nenin 4, në kontratën e punës në nenin 15 dhe 18 të saj, ku thuhet se “punëdhënësi dhe e punësuara i pranojnë të gjitha të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësit e përcaktuara me ligj, me Kontratë Kolektive dhe me këtë kontratë” ndërsa në nenin 23 thuhet se “që në asnjë rast dispozitat e kësja kontrate nuk mund të jenë më pak të favorshme për të punësuarin dhe punëdhënësin se dipsozitat e Ligjit të Punës ose të Kontratës Kolektive”.

Po ashtu në padi thuhet se paditësja kërkesën e saj e ka mbështetur edhe ne Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës konkretisht në nenin 54, ku përcaktohet kompensimi i ushqimit gjatë punës si dhe në dispozitat e Kontratës Kolektive Sektoriale në nenin 35 pika 7.

Tutje, në padi thuhet se paditësja më 28 shkurt 2020, i është drejtuar DKA-së, me kërkesë për përmbushjen e detyrimeve sipas kontratës së punës për pagesën e shujtave, ku e paditura nuk kishte marrë asnjë veprim për të njëjtën.

Mbi këtë bazë ajo po kërkon nga gjykata që të obligohet e paditura Komuna e Prishtinës që asaj t’ia kompensoj shujtat ditore në shumën e përgjithshme prej 1,410 euro, me kamatë vonesë prej 8%, nga data e parashtrimit të padisë deri në përmbushjen e kërkesës së saj si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Related Posts