Përfundon gjykimi në rastin ku infermierja po kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësja Teuta Xhaferi po kërkon nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës–Qendra Klinike Universitare e Kosovës, kompensimin e një page jubilare.

Fillimisht në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i paditëses, avokati Shpëtim Mehmeti e ka precizuar padinë në aspektin subjektiv, ku fillimisht e paditur ka qenë Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë-Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës– Qendra Klinike Universitare e Kosovë, ndërsa sipas tij, tani e tutje e paditur do të jetë vetëm Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës– Qendra Klinike Universitare e Kosovë.

Këtë precizim i njëjti e ka mbështetur në pretendim se deri më tani nuk ka qenë të njoftuar lidhur më ndarjen e buxhetit ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë-Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës– Qendra Klinike Universitare e Kosovë, por siç tha ai, tani e ka të qartë se cila palë duhet të jetë e paditur.

Mehmeti në fjalën përfundimtare ka thënë se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj, duke kërkuar nga gjykata që padinë e paditëses ta aprovoj si të bazuar dhe të detyrohet e paditura që paditëses t’ia paguaj një pagë jubilare në shumë prej 377 dhe atë me kamatë ligjore.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e paditëses, Teuta Islami deklaroi se qëndron pranë përgjigjes në padi, deklarimeve të dhëna gjatë seancës përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ka pretenduar se marrëveshja sektoriale, në të cilën mbështetet paditësja, është e lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, sipas saj paditësja është dashur që Ministrinë e Shëndetësisë ta obligoj për përmbushjen e këtij obligimi, pasi ajo është nënshkruese e Kontratës Sektoriale.

Mbi këto pretendime, Islami i ka propozuar gjykatës që ta refuzoj në tërësi padinë e paditëses si të bazuar.

Gjykatësi i rastit Ylber Shurdhiqi, pas dëgjimit të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 14 nëntor 2019, paditësja po kërkon nga e paditura që t’ia kompensoj një pagë jubilare.

Siç thuhet në padi, paditësja është punëtore pranë QKUKS-së, në pozitën e infermieres, sipas kontratës të datës 1 dhjetor 2010.

Siç thuhet në padi, pas arritjes së përvojës së punës prej 10 viteve pranë të paditurës, paditësja  po kërkon kompensimin e një page jubilare, të cilën e ka mbështetur në Kontratën Sektoriale të Shëndetësisë.

Siç thuhet në padi, paditësja kishte ushtruar kërkesë pranë të paditurës për kompensimin e një page jubilare, por kërkesa e saj ishte refuzuar.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësja po kërkon nga gjykata që kërkesa e saj të aprovohet si e bazuara dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensoj një pagë jubilare. /BetimipërDrejtësi

Related Posts